Afrim Kacaj posted on October 04, 2008 08:00 Views:225
Doli njani me shetitë bjeshkëve . Në nji farë lugine e pa nji ashtë t'kokës. Ky e dveti ashtin:
A thue, more krye, çka t'ka gjetë qe ke dekë e ke mbetë n'kët lugajë?
Ashti i kresë foli e tha:
Ma ka ba gjuha e gojës.
Shkon ai njeriu ka shtëpija vet. U kallxon atyne t'katundit që e kish gjetë nji asht t'kresë dhe kish dvetë pse ka dekë aty n'lugajë, e qi ashti i kish pasë përgjegjë: "Ma ka ba gjuha e gojës".
Fjalë mas fjale ndijen hyqymeti i vëndit. Shkojnë e e marrin at burrin dhe pyesin:
Ku asht ai asht qi ka folë?
Ky u prinë edhe i çon në at lugajë. E gjejnë ashtin e kresë, e ky burri e dvet prap ndër sy të njerzve t'hyqymetit:
Çka t'ka gjetë, more krye, qi ke dekë e ke mbetë n'kët lugajë?
Kët herë ashti nuk foli ma.
Njerzit e hyqymetit, kur e panë që ashti s'po flet, kujtuen së ky njeri i kish rrëjtë. Dhe morën e ja prenë kryet.
Kështu, hem i kallxoi ashti qi "ja kish ba gjuha e gojës” e hem ky s'kish marrë mënd e se kish zaptue gjuhën e vet e gjuha ja hupi edhe kryet e ti.